Loading Events

« All Events

  • This event has passed.

Protest for May 1 / Protestë për 1 Maj – Sabota

May 1, 2019 @ 12:00 pm - 2:00 pm

Protestë për 1 maj – Sabota

Për 1 maj, Ditën e Punës, mblidhemi të protestojmë punëtorë e të papunë. Protestojmë kundër vrasjes e shtypjes sistematike të punëtorëve, përbuzjes e ngacmimit, skllavërimit e dëshpërimit kolektiv që ne, punëtorët e punëtoret, e përjetojmë çdo ditë në punë dhe jashtë saj. Rroga prej 130 euro, e papaguar dhe e vonuar, oraret e stërzgjatura, lëndimet dhe vdekjet, janë disa nga arsyet pse kjo ditë kërkon protestë e rezistencë dhe jo piknik.

Përgjatë vitit 2018 e deri më sot 31 punëtorë zyrtarisht kanë humbur jetën, 6 prej tyre këtë vit, ndërsa janë lënduar me dhjetra të tjerë. Ndërkohë, janë dhënë miliarda euro për autostrada të reja, ndërsa rryma tenton të shtrenjtohet përderisa pritet të krijohet termocentrali i ri privat. Kapitali ndërkombëtar dhe vendor është rritur, por qeveria refuzon të rrisë rrogën minimale. Konsumi dhe apatia kanë kapluar hapësirat publike dhe jetën private. Pushteti është bërë edhe më shtypës.

Gratë punëtore me apo pa kontratë pune shtypen çdo ditë nga patriarkati i institucionalizuar. Gratë punëtore në Kosovë shtypen dyfish në krahasim me punëtorët burra. Por vetëm 12.3% e grave në Kosovë janë të punësuara me pagë. Në vendin e punës diskriminohen, nënvlerësohen, objektifikohen, ngacmohen seksualisht dhe në të njëjtën kohë paguhen më pak sesa burrat. Gratë punëtore, puna shtëpiake e të cilave nuk vlerësohet dhe nuk paguhet, të papunësuara, e shumë prej tyre të punësuara në ekonominë jo-formale, çdo ditë poshtërohen nga diskriminimi gjinor në treg të punës që i lë me paga të ulëta dhe të varura nga burrat.

Përderisa sindikatat vazhdojnë të flenë, Kolektivi i Qendrës Sociale Sabota, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës organizohen për protestën e 1 majit jo vetëm kundër shtypjës në vend të punës, por edhe kundër logjikës së kapitalizmit prej të cilës buron kjo shtypje.

Paga minimale duhet rritur, minimumi jetik duhet përcaktuar dhe siguruar, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duhet të paguhen nga çdo punëdhënës për çdo punëtor të tijin dhe gratë e burrat duhen trajtuar në mënyrë të barabartë në vendin e punës. Pushimi i lehonisë dhe pushimi prindëror duhet të jetë i siguruar dhe i paguar nga punëdhënësi si për gratë ashtu edhe për burrat. Kodi i punës duhet respektuar, orët shtesë të punës duhet të paguhen shtesë, e fundjava duhet t’i takojë punëtorit/es për t’ia përkushtuar vetes dhe familjes. Sindikatat ekzistuese duhet t’i mbështesin fort këto kërkesa, përndryshe sindikata të reja duhet të formohen për avancimin e këtyre kërkesave për punë me dinjitet.

Prandaj, i thërrasim të gjithë punëtorët/et e të papunë/a, studentë/e, pensionistë/e, të rinjë dhe të reja, të ngrihemi së bashku në solidaritet dhe rezistencë kundër pagave të mjerueshme dhe varfërisë, shfrytëzimit, shkeljeve dhe pabarazive, privatizimit, abuzimit, racizmit, seksizmit, homofobisë, transfobisë, ksenofobisë dhe vrasjes që vijnë nga ky sistem shtypës. Le të jetë kjo thirrje për solidaritet shoqëror dhe për një shoqëri të lirë dhe të barabartë.

Vend takimi: Ora 12:00 – Amfiteatri në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Kjo thirrje është pjesë e protestës ku do të marshojmë së bashku me grupe/blloqe tjera.

Details

Date:
May 1, 2019
Time:
12:00 pm - 2:00 pm

Organizers

Sabota – Qendra Sociale
Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist

Venue

Sheshi “Zahir Pajaziti”,
Pristina, Kosovo 10000 + Google Map